Dëmtohet Kristal Abazaj, Tirana në alarm sepse nuk do ta ketë mbi 1 muaj!

Ishte përforcimi kryesor i janarit. Tirana e mori me shumë shpresë Kristal Abazajn, sulmuesin që erdhi në huazim nga Superliga e Turqisë, dhe u qetësua sepse me të do të zëvendësonte golshënuesin e larguar, Redon Xhixha. Gjithsesi, fati mund të ndodhë të jetë edhe i keq, dhe kështu ngjau me aventurën e sulmuesit 26-vjeçar tek bardheblutë. Pasi bëri vetëm pak seanca stërvitore, dhe pasi luajti në ndeshjen e humbur të Abisnet Superligës në fushën e Kukësit, mësohet se Abazaj ka pësuar dëmtim. Futbollisti ka krisur meniskun e gjurit dhe sipas stafit mjekësor të Tiranës do të duhet të mungojë më shumë se një muaj. Kjo do të thotë një pjesë të rëndësishme të sezonit, ndërsa trajneri Orges Shehi sikur e kishte parandjerë lëndimin. Abazaj do të luajë deri në fund të sezonit me Tiranën, sipas akordit të arritur mes palëve, ndërsa më pas mund të kthehet në Turqi apo të ketë vazhdim për sezonin e ardhshëm. Ndërkaq, futbollisti ka udhëtuar për në Kroaci, atje ku ka luajtur më parë për Osijekun, dhe ku do të marrë trajtim më të specializuar lidhur me riaftësimin.

Sfidanti.al