Erblira Bici, nga Kupa e Italisë në A2, drejt realizimit të ëndrrës për në Serinë A!

Ishte ende e re atëherë kur thjesht e ëndërronte këtë nivel. Erblira Bici, ajo që sot është volejbollistja më e mirë shqiptare dhe fituese e freskët e Kupës së Italisë për Serinë A2, shtatë vjet të shkuara shkelte me shpresë në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”. Ishte vetëm 20 vjeç, me talentin e spikatur dhe me fatin që trajneri Hasan Gurabardhi e zbuloi në Gramsh, atje ku lindi dhe nisi të merrej me sport. Duket sikur ka kaluar një jetë, kur kjo vajzë është transformuar sot nga aspirante e suksesit dhe nga studente, në pasardhësen e Ela Tases apo Mimoza Ibrahimit. Pasi përfundoi shkollën, siç premtoi atëherë për Abc-në, ajo provoi karrierën në Itali ku e fitoi sfidën e saj. Tashmë, ajo ka në kabinetin e saj të trofeve, edhe Kupën e Italisë të Serisë A2, pra një nivel poshtë elitës, të cilën e ka provuar shumë mirë në të kaluarën.

Bici udhëhoqi Romën në fitoren ndaj Breshës dhe madje u shpall edhe volejbollistja më e mirë e finales. Një sukses, por jo përfundimi i rrugës për 27-vjeçaren kuqezi, që dëshiron të kthehet në Serinë A të vërtetë, ku ka qenë më parë. Për fatin dhe kontributin e saj, Roma po zhvillon një sezon të shkëlqyer në A2, duke qenë jo vetëm në vendin e parë të renditjes, por edhe e shkëputur ndjeshëm nga rivalët. Të mos harrojmë se tre vjet më parë, në 2019, Erblira Bici fitoi Championsin në 2019 dhe po ashtu Serinë A me Novarën, duke qenë pjesë e skuadrës më të mirë të Europës dhe të botës në atë kohë.

Sfidanti.al