Pas muajit të parë të Superligës, ndërsa trajnerët vinin e shkonin si autobusët e Kombinatit, Mirel Josa theksoi se “nuk mund të ketë futboll të mirë kur trajneri caktohet 1 javë para fillimit të kampionatit”. Pak javë më vonë, trajneri kampion Josa ia zuri vendin Ilir Dajës tek Tirana, ndërsa në fund të vitit, Daja u ul në stolin e lënë bosh nga Josa tek Skënderbeu. Kjo lëvizje e dyfishtë e shtoi edhe më shumë vërtetësinë e fjalëve të Mirelit, veçse kjo nuk e ndihmoi as atë, dhe as Ilirin.
Josa po vuan me Tiranën që e mori në kampionat e sipër, dhe që ka edhe probleme shumë të mëdha jashtë fushës. Ilir Daja, për momentin, ia ka dalë t’i fitojë ndeshjet e tij, veçse vetëm nga 1-0 dhe Skënderbeu i tij ende nuk bind. Trajneri ka ende besim dhe shprehet se “ndaj Flamurtarit gabuam në mesfushë, por ndaj Korabit nuk u rrezikuam asnjëherë”. Ai i ka kërkuar skuadrës së tij që të ushtrojë presion ndaj rivalëve dhe gazetarëve u pohoi se “me kthimin në formë të lojtarëve do të përpiqemi të dominojmë ndeshjet”.
Gjithsesi, koha nuk është shumë në favor të tij. i caktuar në fund të dy fazave të para, Dajës i duhet të gjejë “prekjen” magjike për të sjellë përsëri Skënderbeun e madh, diçka që mund të bëhej nëse ai do të kishte qenë trajner që në verë. Pavarësisht sesa shumë do të punojë ai, dhe sesa shumë do ta ndjekin lojtarët, është e vështirë që skuadra të bëhet e madhe brenda pak javëve.