Dy nga ekipet shqiptare që marrin pjesë në Europë luajtën sfidat e dyta përgatitore. Partizani e Tirana dolën në fushë, përkatësisht në Slloveni e Turqi, duke arritur të njëjtin rezultat, barazimin. Ndryshuan vetëm shifrat, pasi të kuqtë e përfunduan 1-1 miqësoren ndaj ekipit slloven, Jadran të Dekanit. Autori i golit të vetëm për shqiptarët ishte Valentin Murataj që në minutën e 23-të, dhe me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë. Portieri Alban Hoxha priti 11-metërsh, por gjithsesi Jadrani vendas barazoi. Trajneri Mehmeti shpreson që të kuqtë të jenë sa më shumë gati për Ligën e Konferencës, ndërsa ka edhe probleme. Da Silva ende nuk është bashkuar me ekipin dhe mund të jetë në dyshim për ndeshjet e Ligës së Konferencës, ndërsa ekipi vazhdon fazën përgatitore.
Tirana, ndërkaq, barazoi 0-0 me Hermanshtatin e Rumanisë në miqësoren e dytë në Antalia, pak ditë pas fitores 2-1 ndaj Shkupit. Trajneri Shehi bëri eksperimentet e tij, duke pasur në dispozicion një ekip të fortë. Për momentin, ekipi bardheblu do ta ketë Taulant Seferin, ndonëse ofertat për të vazhdojnë, dhe kanë arritur deri në 800 000 euro sipas shtypit të shkruar. Tirana besohet se kërkon të paktën 1 milionë euro për kartonin e tij. Pas ndeshjes me Hermanshtatin, bardheblutë kaluan një mbrëmje ndryshe në Antalia, një konkurs kënge mes futbollistëve. Një moment që besohet se i lidh më shumë lojtarët dhe e ul presionin mbi skuadrën në prag të ndeshjeve të Championsit.
Sfidanti.al