Java e fundit e Superiores do të përcaktojë se cila skuadër do të jetë e katërta në renditjen e kampionatit dhe kësisoj do të vazhdojë rrugëtimin e saj në luftën për titullin kampion. Në garë janë katër ekipe dhe sado e pabesueshëm që mund të duket, ekziston një mundësi që të gjitha ta mbyllin në të njëjtën kuotë pikësh në një skenar të caktuar. Nëse Skënderbeu mundet në Shkodër, Tirana barazon ndaj Egnatias dhe Teuta e Dinamo ndajnë pikët mes tyre, atëherë do të prodhohej një rezultat ku të katër skuadrat do të kishin 48 pikë në klasifikim në mbyllje të 36 javëve. Në këtë situatë, ndeshjet direkte do të merreshin për bazë dhe pikët që kanë fituar ndaj skuadrave të tjera të këtij grupi. Dhe në bazë të rezultateve të siguruara këtë sezon ndaj rivaleve direkte do të ishte Tirana me 20 pikë ajo që do të kalonte e katërta në renditje, duke lënë pas Teutën me 18 pikë, Dinamon me 17 pikë dhe Skënderbeun me 11 pikë.
sfidanti.al