Duhej të ishte një ndeshje futbolli, dhe në të vërtet u luajt, por jo gjithçka shkoi siç duhet. Një sulm ndaj arbitrit ndodhi në përballjen e Kategorisë së Dytë, Elbasani-Pogradeci, të luajtur pikërisht në “Elbasan Arenë”, dhe dhuna nuk ndodhi nga tifozët, por nga vetë futbollistët. Ishin lojtarët miq që iu vërsulën gjyqtarit Olsion Yzeiraj që në minutën e 5-të pasi ai dha penallti për elbasanasit. Incidenti vazhdoi jo pak, me shtyrje që e detyruan arbitrin të tërhiqej deri përtej mesit të fushë, e padyshim me ofendime si në terren, ashtu edhe në tribuna. Në konfliktin, që për fat nuk degjeneroi në dhunë fizike, u përfshinë edhe lojtarë nga stolat e të dyja skuadrave.
Për shkak të situatës, ndeshja u ndërpre për shumë minuta, derisa u vendos qetësia me ndihmën e rojeve të sigurisë që ndodheshin në stadium. Elbasani fitoi 1-0 pikërisht me golin e shënuar me penallti që në minutën e 5-të, ndërsa publiku që ishte i paktë iu gëzua tri pikëve të marra nga skuadra e zemrës. Ekipit i ishin premtuar 1.2 milionë lekë në rast fitoreje nga ana e bashkisë dhe bizneset e qytetit. Problemet, ndërkaq, vazhduan edhe pas mbylljes së ndeshjes. Autobusi i ekipit të Pogradecit u sulmua në hyrje të Librazhit nga persona që ndodheshin në një mjet tip BMV, duke iu thyer xhamat, ndërsa autorët janë larguar pa mundur të kapen nga policia.
Sfidanti.al