U dëshën dy penallti të vërshëllyera nga arbitri Klodian Shahini, që Sopoti – Dinamo të mos përfundonte pa gola, por sidoqoftë skuadrat të ndanin nga një pikë. Në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë-Krujës, ku librazhdasit luajnë si vendas, takimi i hapjes së javës së pestë të Kategorisë së Parë përfundoi në barazim 1-1. Dinamovitët kaluan të parët në avantazh me anë të Julian Gërxhos në të 44’ nga pika e bardhë, pas një ndërhyrje të Sykajt ndaj Ejos në zonën e Sopotit, që arbitri Shahini e konsideroi të parregullt. Në të 65’ ishte portjeri i kryeqytetasve Birja që nuk e llogarit mirë daljen e tij dhe ndërpret Aldo Mitrajn, duke i dhënë më pas shansin Çotës të ekzekutojë saktë po nga pika e 11 metërshit dhe të barazojë shifrat.
Rezultati mund të ishte ndryshe, vetëm nëse drejtuesi i garës do të kishte akorduar një tjetër penallti, kur pas një gjuajtje të Qejvanit, mbrojtësi i Dinamos, Gjata, e ndërpret dukshëm topin me dorë brenda zonës së tij.
Ndërsa për gola nga loja as që bëhej fjalë. Skuadra e Allmuçës kishte më shumë iniciativë gjatë të gjithë lojës, por duket se asnjëri prej lojtarëve të tij nuk kanë shumë afrimitet me golin, pasi ose shpërdorojnë shumë, ose e ekzagjerojnë me veprime individuale dhe shembulli ideal ishte mesfushori afrikan Ejo. Në këto pesë javë, Dinamo ka fituar vetëm ndeshjen e parë ndaj Shkumbinit, kurse Sopoti ende nuk e ka gjetur një 3-pikësh.