Përfundon pa fitues sfida kryesore e javës. Skënderbeu shmang humbjen në fushën e Flamurtarit dhe me barazimin 0-0 shton shanset për të qenë sezonin e ardhshëm në Superligë. Dueli i Kategorisë së Parë në Vlorë nuk i përmbushi parashikimet pasi të dyja skuadrat patën frikë nga humbja dhe krijuan pak raste për shënim. Gola nuk pati, ndonëse për momente të caktuara Flamurtari ishte më lart dhe bëri më shumë. Rezultati i bëri më shumë punë korçarëve të trajnerit Ivan Gvozdenoviç të cilët mbeten në vendin e parë, ndonëse Dinamo mund t’i kalojë nëse fiton ndeshjen e kësaj të diele në Cërrik. Vlonjatët pretenduan për penallti për prekje të topit me dorë në zonë, por gjyqtari i sfidës nuk ishte i këtij mendimi. Tashmë, Skënderbeu duket se do ta ketë më të lehtë ngjitjen për në Superligë, pasi është tri pikë mbi Flamurtarin e vendit të tretë kur ka edhe 4 javë deri në përfundim të sezonit. Korçarët kryesojnë me 42 pikë, Dinamo ka 40 me një ndeshje më pak e Flamurtari 39.
Sfidanti.al