Nota të larta për Asllanin, kritika të forta për Inzagin!

Padyshim që pati emocione të forta kur doli në fushë. Për Kristjan Asllanin, sfida e Serisë A, Kremoneze-Inter, ishte një nga të rrallat ku ai ishte titullar, por gjithsesi e kaloi presionin psikologjik për të bërë një paraqitje shumë të mirë. Nga këmbët e tij lindi goli zikaltër që në minutat e para, në një ndeshje që ekipi i trajnerit Simone Inzagi duhej ta fitonte. Pavarësisht barazimit 1-1, që ndodhi në fund pas golit të habitshëm dhe të rrallë të ish-interistit Antonio Kandreva, sërish për Asllanin pati lavdërime mediatike. “Eurosporti” i jep notën 6.5, i dyti lojtar më i mirë zikaltër pas Gosensit, dhe i treti më i mirë në ndeshje pas edhe portierit Oçoa.

“Goli i avantazhit lindi nga këmbët e tij, – shkruan “Eurosporti”, – është praktikisht një gjeometër me pasimet e tij vertikale. Ka cilësi dhe duhet të luajë më shumë.” “Skaj Sporti” i jep notën 6, gjithashtu një nga notat më të mira për lojtarët e Interit, që maksimumin e patën 6.5 Notë mjaft e mirë edhe nga “Il Korriere dela Sera”, 6.5, duke e vlerësuar për fillimin dhe për golin, por me një kritikë që e uli ritmin më pas. Mediat pranë tifozëve interistë patën kritika të forta për trajnerin Inzagi që e ka aktivizuar pak. Shpresohët që Asllani ta shohë më shumë fushën, e ndoshta ai mund të jetë nën drejtimin e një tekniku të ri, pasi drejtuesit e klubit janë të zhgënjyer nga njeriu aktual i stolit.

Sfidanti.al