Në fillim të këtij sezoni, pas negociatash të gjata, publiku u informua për një lajm të madh rreth futbollit të vendit: Klubi i Elbasanit i është shitur një kompanie angleze. Pra më në fund u rregullua gjithçka, presidenti i deritanishëm nuk do të largohet duarbosh pas një shpenzimi për më shumë se një dekadë dhe Bashkia e qytetit nuk do ta ketë më barrë skuadrën. Por duket se pronarët e rinj kanë marrë përsipër vetëm misonin për të rikthyer emrin e dikurshëm të Elbasanit, pasi gjobat dhe përjashtimet në rast rezultatesh të papërshtatshme vazhdojnë të jenë kompetencë e Arben Lazes.
Për presidentin karizmatik, humbja në shtëpi me Lushnjën ishte turpëruese dhe mëkatarët e fushës duhet të paguajnë dëmet morale që i sollën atij dhe qytetit. Sipas Lazes, anglezët do të marrin çelësat e klubit në janar dhe do të bëjnë një merkato për të ndërtuar një ekip pretendent, por deri atëherë do të mendojë ai personalisht, që kjo e tanishmja të mos vazhdojë të rrëshkasë dhe të arrijë deri aty sa pronarët e rinj të mos kenë mundësi më nga ta kapin.