Kategoria e Parë, Iliria prezanton trajnerin e ri

Iliria nuk humbet kohë dhe në këto ditë të para të vitit 2026 prezanton trajnerin e ri. Matias Tatangelo është zyrtarisht trajneri i ri i skuadrës nga Fushë Kruja. Italo-argjentinasi zë vendin e Dritan Smajlit, që u largua nga drejtimi i skuadrës pak ditë më parë.

“Italo-argjentinasi merr drejtimin e bardhebluve me objektiva të qarta për sezonin. I urojmë mirëseardhjen në familjen bardheblu dhe shumë suksese në krye të KF Iliria”, shkruhet në njoftimin e klubit nga Fushë Kruja.

40-vjeçari më herët ka qenë trajner i Shirokës, por edhe i Apolonisë në futbollin shqiptar. Iliria synon ngjitjen në Abissnet Superiore dhe aktualisht qëndron në vendin e 8-të në renditjen e Kategorisë së Parë me 22 pikë të grumbulluara në 17 javë kampionat.