“Sa afrime do të bëjmë në janar për mbrojtjen? E nisim me një”: kështu deklaroi Cristiano Giuntoli për mikrofonat e Mediaset para ndeshjes së Cagliari-t në Kupën e Italisë. Përtej referencës ndaj repartit mbrojtës, nga fjalët e Drejtorit Menaxhues të Futbollit te Juventusit, reflektohet një merkato dinamike në janar, pjesërisht për të zëvendësuar dëmtimet e Bremer dhe Cabal, dhe pjesërisht për të korrigjuar disa gabime të bëra gjatë verës. Për shembull, në mesfushë, ku spikat emri i Sandro Tonalit: sipas “Corriere dello Sport”, ish-mesfushori i Milanit u përmend gjatë një takimi të mbajtur të hënën mes Giuntolit, Stefanellit (kreu i scouting) dhe Romanos (shumë pranë Giuntolit), kur u diskutua për një mesfushor dinamik që Thiago Motta dëshiron. Tonali, i cili po gjen gjithnjë e më pak hapësirë te Newcastle, do të rikthehej me dëshirë në Serinë A. Megjithatë, interesimi i Milanit është mohuar, dhe ai, si tifoz i madh i Milanit, vështirë se do të pranojë një transferim tek Interi, me të cilin ishte lidhur para disa ditësh. Klubi anglez, që ka shpenzuar 64 milionë euro për ta marrë nga Milani në verën e vitit 2023, kërkon 55 milionë euro për ta lënë të lirë. Për të mbledhur këtë shumë, bardhezinjtë mund të sakrifikojnë lojtarë si Fagioli (Juventusi kërkon 25-30 milionë euro për të) ose, për habi, edhe Kenan Yildiz, i vlerësuar 35-40 milionë euro. Arsyeja është e qartë: Yildiz do të garantonte një plusvalencë të madhe, dhe në rolin e tij Motta ndihet i mbuluar falë afirmimit të Conceicao-s, kthimit të Nico Gonzalezit, si dhe opsioneve të tjera si Mbangula-Adzic. Duhet thënë se një operacion i tillë nuk është i lehtë për t’u përcaktuar (kujtojmë se Yildiz mban fanellën e rëndësishme me numrin 10, çka ka një ndikim edhe në aspektin e marketingut). Por, mbi këtë skenar, Giuntoli dhe stafi i tij po punojnë për t’i dhënë trajnerit atë që kërkon dhe për ta ndihmuar të zbusë luhatjet që kanë shënuar këtë fillim sezoni.
sfidanti.al