Juventus me dëmtime, Napoli “pa çati”, garë e fortë në Serinë A

“Titulli do të vendoset javën e fundit”. Këto ishin fjalët e trajnerit të Napolit, Mauricio Sarri, në përfundim të fitores së vuajtur ndaj Spalit në “San Paolo”. Ata që shkuan në stadium apo që mbajtën televizorin pikërisht te kjo ndeshje, me siguri u zhgënjyen, por aspak trajneri napolitan. Me shumë më pak alternativa sesa Alegri tek Juventusi, ai duhet të shpikë gjithnjë diçka. U desh të sakrifikohej Championsi, dhe tani besohet edhe Liga e Europës, u la pas dore Kupa e Italisë, vetëm e vetëm që të fitohet kampionati “i bekuar”.

Suksesi ndaj Spalit, me gol të shënuar nga Alan, tregoi se kampionët titullarë të përhershëm si Mertens, Insinje apo Kajehon janë të lodhur. Po ashtu edhe pjesa tjetër e formacionit dhe kjo u ndje, ndonëse dominimi ndaj Spalit ishte total.

Po Juventusi? Derbin ndaj Torinos e fitoi po minimalisht, 1-0, dhe mori lajme të mira për kthimin në formë të Aleks Sandros, veçse loja sërish nuk bindi plotësisht. Sidoqoftë, për Alegrin, problemet më të mëdha vijnë nga infermieria.

Gonzalo Higuain doli nga fusha që në minutën e 13-të dhe do të mungojë të paktën ndaj Atalantës fundjavën e ardhshme. Shpresohet të jetë gati ndaj Totenhemit në Champions, por nuk dihet se në çfarë kondicioni fizik. Bernardeski është thuajse i sigurt që nuk luan në Londër, pas dëmtimit në gju që do ta lerë jashtë fushe për 1 muaj. Edhe Dibala nuk është ende në kulmin e tij, ndaj edhe trajneri juventin nuk është shumë i qetë.

Gjithsesi, ai e lavdëron ekipin e tij. “Le të thonë se luajmë keq, por jemi në konkurrim për gjithçka, – u shpreh ai, – ndaj Torinos ishte ndeshje e madhe dhe u përgjigjëm mirë pas Totenhemit”.

Sfidanti.al