Iuliano e Milinkoviç kundërshtojnë njëri-tjetrin: Unë, jo unë isha më mirë

Publiku natyrshëm që nuk mund të ishte i kënaqur. Tifozët e Partizanit u larguan të heshtur nga stadium, pasi skuadra e tyre e zemrës nuk arriti të fitonte, për të dytën herë radhazi. Me vetëm 1 pikë në dy ndeshje brenda fushe, a mund të ketë ende shpresa për titull?  Trajneri Mark Iuliano, u shfaq me fytyrë optimiste edhe pas barazimit me Kukësin.

“Pashë një ndeshje shumë të mirë sonte, – tha ai, – Një ndeshje që Partizani e dominoi duke luajtur mirë. Mungoi goli të cilin e meritonim plotësisht sepse krijuam shumë raste. Problemi është kur shënon, por nuk krijon raste”. Italiani vazhdoi duke treguar se çfarë i tha ekipit. “Skuadrën e përgëzova në dhomat e zhveshjes pasi luajti me zemër, – rrëfeu ai, – Për fat të keq nuk e fituam ndeshjen, por në këtë kampionat, jemi edhe ne pretendentë”.

Gjithsesi, ka një mendim krejt tjetër, homologu i Iulianos, trajneri i Kukësit, Mladen Milinkoviç. Në analizën për lojën e skuadrës së tij, serbi shënon vetëm diçka negative.

“Ishte një ndeshje e mirë, ishte një ndeshje e luftuar fort nga të dy ekipet,, – komentoi tekniku, – Munguan vetëm golat. Është e vërtetë që portieri i Partizanit nuk kishte shumë punë, por nëseë Guri apo Kale do të kishin shënuar, atëherë do të ishte përsëri spektator. Partizani nuk pati raste të mira shënimi, përveç goditjes së dënimit në fund. Gjithsesi, duhet të kemi më shumë vazhdimësi në lojë brenda një ndeshjeje”.

Në javën e tretë të Superligës, Partizani do të luajë një tjetër ndeshje të fortë, atë në fushën e Skënderbeut, ndërsa Kukësi do të presë Laçin.

Sfidanti.al