Ish-trajneri i Gjermanisë “refuzon” Bayernin: Nuk më motivon

Joachim Löw, kampion botë në krye të Gjermanisë në Brazil 2014, është pa punë që nga viti 2021, kur u largua nga përfaqësuesja gjermane. Së fundmi, është përfolur si një nga kandidatët për të marrë drejtimin e Bayernit. Klubi bavarez njoftoi se Thomas Tuchel do të largohet në fund të sezonit, por duket se pasuesi i tij nuk do të jetë Low, 64-vjeçari ka shprehur dëshirën e tij për t’u rikthyer në “aksion” pas më shumë se dy vitesh mungesë. Megjithatë, e ka bërë të qartë se oferta që kërkon ende nuk i ka mbërritur dhe në çdo rast nuk do ta lidhte me Bayernin, por me një kombëtare: “Nuk jam tërhequr nga futbolli, por do të kthehem vetëm nëse jam 100% i bindur. Kjo ofertë nuk ka qenë ende në tryezën time”. Prioriteti i tij duket se është Kupa e Botës 2026: “Një objektiv për mua është Botërori i radhës, që do të zhvillohet në Amerikë, Kanada dhe Meksikë. Kjo ide më duket emocionuese. Pas Kupës së Afrikës, Kupës së Azisë dhe Europianit, disa federata ndoshta do të kërkojnë përsëri trajnerë të kualifikuar për kombëtaret. Unë jam i hapur për këtë, duke filluar nga vera. Më pas do t’i shqyrtoj opsionet e disponueshme”. Löw jep argumentet e tij pse është e pamundur që ai të bëhet trajner i Bayernit: ” Bayerni ndoshta nuk është i interesuar për mua si trajner, as unë nuk do të isha i interesuar për Bayernin. Kam qenë trajner i ekipit kombëtar këtu, në Gjermani, për një kohë të gjatë (2006-2021). Sigurisht, klubet janë një opsion shumë i mirë, por për mua nuk përbëjnë më motivim”.

sfidanti.al