Isak tremb Liverpoolin

Në kampin e Liverpoolit mbizotërojnë shqetësimi dhe pasiguria pas ndeshjes së fituar 2-1 ndaj Tottenhamit. Klubi anglez druhet se Alexander Isak mund të ketë pësuar një dëmtim serioz në këmbë, një goditje e rëndë për skuadrën e Arne Slot në një moment delikat të sezonit.

Sipas asaj që raporton ‘The Athletic’, sulmuesi suedez u dëmtua gjatë pjesës së dytë të sfidës ndaj Spurs, ndeshje në të cilën ai hyri në fushë pas pushimit duke zëvendësuar Bradley. Isak u bë protagonist në minutën e 56-të, kur shënoi golin që zhbllokoi rezultatin, por festimi i tij u ndërpre menjëherë. Pas një ndërhyrjeje të ashpër me rrëshqitje nga Van de Ven, ish-lojtari i Newcastle nuk arriti të ngrihej dhe të bashkohej me shokët e skuadrës.

Stafi mjekësor ndërhyri menjëherë për ndihmën e parë, por Isak u detyrua të largohej nga fusha, edhe pse pa barelë. Sulmuesi, i blerë verën e kaluar për 145 milionë euro, nuk i është nënshtruar ende rezonancës magnetike, ekzaminim që do të përcaktojë saktësisht shkallën e dëmtimit. Megjithatë, në ambientet e qendrës stërvitore të Liverpoolit ekziston frika se dëmtimi në pjesën e poshtme të këmbës mund të jetë serioz.

Ky do të ishte dëmtimi i dytë për përforcimin më të shtrenjtë të verës së ‘The Reds’. Deri tani, Isak ka zhvilluar 6 ndeshje në Premier League dhe 3 në Champions League, duke pasur parasysh vonesën e formës pas mbylljes së transferimit dhe problemin e mëparshëm në aduktor, që e mbajti jashtë për rreth 16 ditë.

Me Mohamed Salah jashtë skuadre, Ekitike mbetet aktualisht alternativa e vetme në repartin ofensiv, ndaj menaxhimi i tij kërkon kujdes maksimal. Nëse konfirmohet dëmtimi i rëndë i Isak, Liverpool mund të detyrohet realisht të ndërhyjë në merkaton e janarit për të përforcuar sulmin.