Suksesi para pak ditëve ia afroi triumfin e madh. Milani kaloi mallkimin e Veronës me shifrat 3-1 në “Bentegodi”, ndërsa këtë të diel mund të kurorëzojë një sezon të madh me fitoren e titullit kampion. Kuqezinjtë e trajnerit Stefano Pioli presin Atalantën në orën 18:00 në “San Siro”, aty ku do të jenë përballë 75 000 spektatorëve. Një fitore ndaj skuadrës ku luan Berat Gjimshiti, kombinuar me dështimin e Interit për të marrë tri pikët në Kaljari më vonë, do të thotë “skudeto”. Po ashtu, një barazim do t’i shpallte kampionë nëse Interi mundej. Mungesë është vetëm një lojtar, mbrojtësi Kjer i dëmtuar. Gjasat duken të mira, pasi Milani fitoi 3-2 edhe në ndeshjen e fazës së parë në Bergamo, ndonëse presioni sa vjen e rritet, siç e thotë Pioli.
Interi, ndërkaq, është me moral shumë më të lartë pas fitores së Kupës së Italisë, me suksesin e vështirë dhe të merituar ndaj Juventusit 4-2. Ky ishte titulli i dytë për zikaltërit, pas Superkupës së Italisë fituar gjithashtu ndaj Juventusit, por gjithsesi, ekipi i trajnerit Simone Inzagi nuk e ka në dorë fatin e tij. Vetë Inzagi nuk doli në konferencën për shtyp para ndeshjes së sotme në Kaljari në 20:45, ndërsa pas fitores së Kupës u shpreh se ekziston besimi për titullin dhe kërkoi nga lojtarët e tij që ta mbyllin sezonin në mënyrën më të mirë. Për zikaltërit gjithashtu ka vetëm një mungesë, Vesino.
Sfidanti.al