A munden “Vëllezërit Splesh” ta fitojnë një tjetër titull me Golden Stejtin?!

Kanë krijuar një “dinasti” siç thonë në NBA. Stefën Kërri dhe Klej Tompson janë “shtyllat” e Golden Stejtit që doli kampion në basketbollin amerikan në 2015, 2017 e 2018. Pikërisht kjo dyshe, e mbiquajtur “Vëllezërit Splesh” (Splash), po e udhëheq ekipin drejt një tjetër titulli, që do të ishte një mrekulli. “Luftëtarët” u kualifikuan për në finalen e Konferencës Perëndimore pasi fituan ndeshjen e gjashtë ndaj Memfisit, me 110-96. Tompson shënoi 30 pikë dhe kapi 8 topa në tabela, 2 asistë e 3 bllokime gjuajtjesh, duke realizuar 8 nga 14 gjuajtjet për tri pikë, me një mesatare të shkëlqyer. Kërri pati 29 pikë, 7 topa në tabela e 5 asistë. Po ashtu, ylli tjetër i treshes së madhe, Drejmond Grin, e bëri detyrën me 14 pikë, 15 topa në tabela e 8 asistë, duke qenë madje më i miri në fushë. Memfisi e ndjeu shumë mungesën e Xha Morantit të dëmtuar. Tashmë, Golden Stejti pret rivalin e finales së Perëndimit, që mund të jetë Feniksi ose Dallasi.

Sfidanti.al