Nuk është se habitet kush me këtë që po ndodh, tani që Mauro Ikardit iu hoq shiriti i kapitenit. Madje, habia është shumë më e vogël kur kujton historinë e sulmuesit argjentinas tek Interi, një periudhë e mbushur me polemika dhe krisje. Në 1 shkurt 2015, Ikardi u përplas me tifozët e pakënaqur pas humbjes 1-3 në fushën e Sasuolos. Ata i flakën mbrapsht fanelën që ai ua kishte hedhur në tribunë, dhe pas kësaj, futbollisti i ofendoi rëndë. Më pas kërkoi falje, por e keqja ishte bërë.
Në tetor 2016, tifozët në “San Siro” i kërkuan që të hiqte shiritin e kapitenit, pasi lexuan autobiografinë e tij. “Je gënjeshtar, – ishin thirrjet, në lidhje me ngjarjen e 2015-ës, – hiqe shiritin, palaço”. Ikardi u përpoq të vendoste paqen në rrjetet sociale.
Ngjarjet e tjera janë të kohëve të fundit. Sulmuesi zemëroi klubin duke udhëtuar për në Madrid, në ndeshjen River-Boka, 48 orë para sfidës vendimtare ndaj PSV Ajndhovenit në Champions. Në dhjetor, Uanda Nara, gruaja dhe agjentja e tij, shkaktoi polemika kur shkroi në rrjetet sociale për “rinovim kontrate”, ndërsa ishte fjala për një sponsor, jo për kontratën me Interin.
Vazhdoi, po ato ditë, me pretendimin e Uandës se Interi dëshironte t’ia jepte Ikardin Juventusit, ndërsa drejtuesi Auzilio u përgjigj: “Le të mos bëjmë estradë, Uanda e di se ku jam nëse kërkon të më takojë, ofertën ia kemi bërë, por nuk kemi marrë përgjigje”.
Konflikti vazhdoi në pushimet e janarit, kur kapiten Ikardi u kthye në grumbullim një ditë pas shokëve, dhe mori një gjobë prej 100 000 eurosh. Uanda e mohoi, por pati takim me Marotën për kontratën e re. Gjithsesi, çdo gjë doli jashtë kontrollit me fjalët e saj në televizion për Perishiçin se “ndoshta, kroati dëshiron të largohet për motive personale”. E fundit, sërish nga Uanda, kur u shpreh po në TV se “Mauro mbrohet pak nga Interi, ka shumë keqësi ndaj tij, dhe nuk e kuptoj nëse dalin nga skuadra apo jo”. “Rinovimi? Preferoj që klubi të marrë lojtarë që t’i japin më shumë pasime goli në fushë”, – ishin fjalët e fundit të gruas së Ikardit.
Sfidanti.al