“Qëllimi justifikon mjetin” është shprehja e vjetër, më e vjetër edhe sesa koha e Makiavelit, së cilës i atribuohet thënia. Nuk dihet nëse Sergio Ramosi ka dëgjuar ndonjëherë për italianin e famshëm, por veprimi i tij ndaj Ajaksit ishte i denjë për përcaktimin e mësipërm. Kapiteni i Realit mori karton të verdhë në minutën e 89-të, për një faull të panevojshëm ndaj Dolbergut të Ajaksit, dhe kështu automatikisht humbi ndeshjen e dytë për shkak pezullimi.
Edhe vetë veprimi i Ramosit mund të kishte tërhequr vëmendjen e UEFA-s, pasi u duk që ishte i qëllimshëm, por qendërmbrojtësi ia dha shansin e plotë, duke pranuar pas ndeshjes. “Është e vërtetë që po shikoja rezultatin, – tha Ramosi për kamerat televizive, – ishte diçka që nënkuptohej. Nuk dua të nënvleftësoj rivalin, por ka raste që duhet të marrësh vendime të tilla”.
Tashmë, Ramosi rrezikon të dënohet me 2 ndeshje pezullim nga UEFA, dhe jo thjesht të mungojë në takimin e kthimit ndaj Ajaksit (për plotësimin e 3 të verdhave).
Sfidanti.al