Igli Tare analizon Kombëtaren

Ish sulmuesi i Kombëtares dhe ish-drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare analizoi paraqitjet e Kombëtares shqiptare. Tare foli pozitivisht për sulmuesin Indrit Tuci, i cili luajti dje ndeshjen e tij të parë si titullar për Shqipërinë, ku dha dhe asistin për golin e fitores që u shënua nga Asllani. Nga ana tjetër Tare theksoi se një kritikë për Sylvinhon do të ishte menaxhimi më i mirë i lojtarëve pasi ekipi kombëtar ka shumë alternativa. “Ishte një ndeshje pak a shumë e njëjtë si ajo me Ukrainën. Duke qenë se ka shumë alternative lojtarësh, Sylvinho duhet të ketë më shumë besim tek lojtarët. Të bësh dy ndeshje me gati të njëjtin formacion është shumë e lodhshme për lojtarët. Ekipi tani ka shumë alternativa. Pë këtë arsye, Sylvinho duhet të ketë më shumë besim tek lojtarët. Më pëlqeu personaliteti i Tucit. Mund të kishte shënuar edhe gol, por dha një asist. E vetmja kritikë është se u loz me të njëjtën formacion si ndaj Ukrainës. Duhet të ishin 3-4 lojtarë të freskët në formacion.

Shqipëria nuk është skuadër që ka yje, por ka grup. Pas Europianit edhe vetë pritshmëritë janë më të larta. Minimumi që duhej të ndodhte në atë moment është që lojtarët duhej ta ndalonin ndeshjen deri sa banderolat të largoheshin. A ka mbaruar epoka Hysaj? Absolutisht jo. Ka qenë një nga lojtarët ndoshta më të mirët në tre ndeshjet e fundit të Kombëtares. Elsi është akoma një pikë referimi për Kombëtaren shqiptare. Mitaj bëri një europian shumë të mirë. Kishte interes nga disa klube nga Serie A, por ndoshta mos njohja ndaj tij bëri që vendimi të ishte kundër. Në periudhën 2-vjeçare është një rendiment pozitiv. Sylvinho është ambientuar në një kohë rekord me futbollin shqiptar. Unë mendoj se eksperienca e tij është shumë e madhe. Në përgjithësi më pëlqen mënyra se si interpreton.” – tha Tare.

 

sfidanti.al