Mbrojtësi i Kombëtares, Elseid Hysaj, ka folur në konferencë për shtyp, pas grumbullimit të kuqezinjve për ndeshjet ndaj Serbisë dhe Letonisë.
“Kjo është ndeshje e rëndësishme sepse janë kundërshtarë direktë me ekipin tonë. Në marrëdhëniet e vendeve tona nuk duhet të hyjmë ne futbollistët, ka kush merret me këtë punë. Ne duhet të luajmë ndeshjen tonë, të jemi të përqendruar, të qetë, e dimë që është kundërshtar direkt, dhe të mos mendojmë për probleme.
Të gjithë futbollistët janë të përqendruar, e dimë që kjo ndeshje është shumë e rëndësishme, si për ne, dhe jashtë futbolli, ka shumë tifozë që mezi po e presin këtë ndeshje. Normal që kam folur me disa lojtarë për lidhjet tona që kemi pasur, edhe për ndeshjet e kaluara që kemi luajtur bashkë. Të gjithë e dinë historinë e Shqipërisë. Thjesht kam thënë të jemi sa më të qetë dhe të bëjmë ndeshjen më të mirë në fushë.
Është një presion i madh, por ky presion do jetë i vlefshëm për të zbritur në fushë fort dhe me kurajë. Është ndeshje e veçantë, por futbolli, duhet hyrë në fushë me qetësi dhe të bëjmë më të mirën për të marrë 3 pikë.
Të gjithë e kanë parë ndeshjen që kemi luajtur ne aty. Nuk është imazh i bukur për futbollin. Nuk duhet të ndodhë ashtu si në atë kohë. Është ndeshje shumë e rëndësishme, luajmë për shtetin, kombin, nëse ne fitojmë mund të jetë krenari e madhe për ne. Duhet të jemi të qetë, që ta kuptojmë, duhet të mendojmë se jemi futbollistë, për të kënaqur tifozët dhe për të fituar.
Unë gjendem mirë, u riktheva nga dëmtimi që kisha. Tani ndihem shumë mirë. Të gjithë mirë, është fundi i kampionatit, ndoshta mund të jemi të lodhur, por nuk besoj, kam parë çunat në stërvitje, të gjithë të përqendruar. Është ndeshje e veçantë, që duhet ta luajmë me zemër dhe shpirt, mund të jetë tifozëri e zjarrtë, por të jemi të qetë.
Trajneri bën punën e tij, gjithmonë na mban me mendimin që të jemi sa më të qetë, mos ta marrim me presion këtë ndeshje. Jemi të rritur ta kuptojmë rëndësinë e ndeshjes. E dimë që Serbia ka lojtarë të fortë, kemi luajtur kundër tyre në Seria A dhe jashtë. Dhe ato e dinë për ne, që mund të luftojmë dhe ta fitojmë atë ndeshje.
Të gjitha ndeshjet e grupit janë të rëndësishme, por kjo ndeshje direkte për ne. E dimë që Anglia shumë e fortë, që nëse fiton ose barazon mrekulli, por kundër Serbisë mund të luajmë letrat tona shumë mirë dhe të kemi mundësi për ta fituar ndeshjen”, u shpreh Hysaj.
sfidanti.al