Në “Pushkash Arenë” normalisht nuk duhej të kishte tifozë sepse stadiumi i Budapestit ishte i dënuar për këtë ndeshje të kombëtares vendase për shkak të racizmit në të kaluarën. Gjithses, pavarësisht këtij vendimi të UEFA-s, në impiant ishin rreth 30 000 persona ndërsa Anglia doli për të luajtur ndaj Hungarisë në Ligën e Kombeve. Ç’kishte ndodhur? Hungarezët kishin gjetur një “vrimë” në legjislacionin e UEFA-s, që lejonte që në stadium të kishte fëmijë, të cilët nuk cilësoheshin tifozë, dhe sjellja e tyre në impiant do të thoshte aktivitet shoqëror i dobishëm. Një fitore e Federatës dhe ndoshta e kryeministrit tepër sfidues ndaj BE-së, Orban.
Natyrisht, kishte edhe nja 2-3 mijë të rritur, por këta ishin të ngarkuar me detyrën për të shoqëruar fëmijët. Mediat angleze “ia bënë puf” nga inati për këtë që ndodhi dhe jo më kot “Deili Meili” akuzoi se “të vetmit tifozë që nuk u lejuan në stadium ishin ata anglezë”. Më tej, ata e tepruan duke akuzuar tifozët hungarezë dhe fëmijët se u tallën me lojtarët e Anglisë që u gjunjëzuan në shenjë lufte kundër racizmit. Vërtet, që vërshëllima ndaj “tre luanëve” nuk ishte aspak gjë e mirë, por as nuk mund të krahasohet me “bëmat” e tifozëve anglezë në të kaluarën që bënë “lëmsh” gjithë Europën derisa arritën në tragjedinë e “Hejselit” në 1985.
Sfidanti.al