Humb Vllaznia, Shkodra tregon kulturë, duartroket Luftëtarin!

Kur e pyesnin dikur Shkëlqim Muçën se në cilën fushë donte të luante jashtë kryeqytetit, ai përgigjej “në Shkodër”. Besohet kështu kanë menduar edhe futbollistët e Luftëtarit, të cilët provuan duartrokitje nga publiku shkodran pas fitores në “Loro Boriçi” ndaj Vllaznisë vendase. Gjirokastritët e treguan veten si një nga ekipet më të mirë të Superligës, duke përjashtuar vetëm ata që luftojnë për titull, dhe tifozët shkodranë nuk u kursyen.
Trajneri serb i Luftëtarit, Mladen Milinkoviç, që nuk e njihte më parë mentalitetin e qytetit të vjetër të Shqipërisë, nuk mundi të mos e vlerësonte sjelljen. “Janë shumë domethënëse për ne, duartrokitjet e publikut vendas, – tha ai pas ndeshjes, – ishte një ndeshje e mirë nga të dyja skuadrat, por mendoj se ne I meritonim tri pikët”.
Milinkoviç ishte treguar profet përpara ndeshjes, të paktëm sipas fjalëve që tha vetë. “U thashë lojtarëve që kush shënon 3 gola fiton ndeshjen”, – ishte shprehja e tij, ndërsa vlerësoi fitoren ndaj Vllaznisë, “skuadrës që kishte marrë më shumë pikë në Superligë në 4 ndeshjet e fundit”. Gjithsesi, trajneri theksoi se objektivi I Luftërtarit mbetej mbijetesa. Për gjirokastritët, në suksesin 3-2, golat I shënuan Cicmil (autogol), dhe Rezhinaldo dy herë, ndërsa për Vllazninë realizuan Shtubina dhe Marku.

Sfidanti.al