Holandës desh i iku fitorja, por kryesorja është që shkëlqen nga bukuria!

Le të kuptohemi, do të duhet të “hanë një furrë bukë” që të krahasohen me kohën e Johan Krujfit, Neskensit e legjendave të tjera, apo me kohën e treshes së artë Van Basten-Gulit-Rajkard. Holanda ka pasur disa herë breza të shkëlqyer, edhe në 1974, edhe në 1988-1994, edhe vitin 2000, madje edhe në 2010 e deri në 2014. Kohët e fundit sikur nuk kishte bindur, ndërsa largimi i Ronald Kumanit nga stoli për të marrë drejtimin e Barcelonës sikur i vuli vulën krizës.

Sidoqoftë, ndeshja e parë e Euro 2020 në Amsterdam ndaj Ukrainës ishte një spektakël, ndonëse thuajse i iku nga duart. “Portokallinjtë” dominuan me lojë, duke mbajtur topin 68 për qind, duke gjuajtur 15 herë drejt portës (7 Ukraina), e duke pasur goditjet nga këndi 5-1. Gjithsesi, epërsia 2-0 e krijuar në pjesën e dytë me golat e Gini Vajnaldumit dhe të Vout Veghorstit nuk “bëri para”, sepse ukrainasit e Shevçenkos shpërthyen në fare pak minuta duke bërë thuajse “gjëmën”. Andrij Jarmolenko në 75’ dhe Roman Jaremçuk në 79’ barazuan rezultatin, dhe u desh një goditje me kokë nga mbrojtësi Denzel Dumfris që të siguronte fitoren e “tulipanëve” të Frenk De Burit. Edhe pse trajneri nuk luajti me skemën klasike 4-3-3 të Krujfit dhe Rinus Mishelsit, por me 3-52, Holanda e tij nuk ishte aspak e mërzitshme. Ajo mund të jetë hera-herës fëminore, dhe e pavëmendshme, por do të japë spektakël për sa kohë që të jetë në Europian.

Sfidanti.al