Hasa prezantohet te Napoli në 2 janar

Napoli është shumë pranë arritjes së marrëveshjes për shqiptarin Luis Hasa, një nga talentet më premtues të futbollit italian, i cili vjen nga Lecce. Ky transferim është dëshiruar fuqimisht nga drejtori sportiv Giovanni Manna, i cili ishte mahnitur nga paraqitjet e tij te Juventus Next Gen. Hasa ende nuk ka folur në lidhje me kombëtaren që do të përfaqësojë, duke qenë se interesimi i FSHF-së nuk ka marrë ende përgjigje. Antonio Conte ka kërkuar shprehimisht të paktën një përforcim në mesfushë për merkaton e janarit, duke marrë parasysh edhe faktin se Folorunsho është rikthyer në orbitën e Lazios. Megjithatë, Hasa nuk do të jetë ky përforcim, pavarësisht se lojtari është praktikisht një hap larg kalimit te të kaltërit. Klubi kampan planifikon ta huazojë atë te Bari në Serie BKT, për t’i dhënë mundësinë të fitojë më shumë eksperiencë. Sipas Radio Kiss Kiss Napoli, talenti i ri pritet të njoftohet më 2 Janar, pasi konfirmimi ka ardhur nga vetë ekipi menaxhues i lojtarit. Ndërkohë, te Lecce pritet të transferohet Alessio Zerbin, si pjesë e marrëveshjes. Nga ekspertët, Hasa konsiderohet një nga talentet më të mëdhenj të futbollit italian, pasi fitoi Kampionatin Europian U19 në vitin 2023, ku ishte protagonist absolut. Pasi ka luajtur me ekipin Primavera të Juventusit, sezonin e kaluar ai shkëlqeu në Serie C me Juventus Next Gen, duke realizuar 2 gola dhe 7 asistime. Me një lëvizje të zgjuar, Pantaleo Corvino arriti ta sillte te Lecce pa asnjë kosto, duke u premtuar bardhezinjve 40% të përfitimit nga shitja e ardhshme. “Në sulm mund të luajë në çdo pozicion, përveç qendërsulmuesit. Mund të luajë si anësor, mesfushor ofensiv dhe madje edhe si mesfushor qendror me tipare sulmuese”, ka deklaruar drejtori i përgjithshëm i Lecces. Hasa krahasohet shpesh me Bernardo Silva dhe disa vite më parë tërhoqi vëmendjen e agjencisë CT10 Management të Francesco Tottit, që menaxhoi karrierën e tij përpara se ai të kalonte te super-agjenti Fali Ramadani.

sfidanti.al