Harry Kane rekord në Bundesligë

Harry Kane ka treguar te Bayern Munchen se mund të bëjë shumë mirë rolin që kishte dikur Robert Lewandowski, atë të bomberit të pandalshëm para portave kundërshtare. Këtë po e vërteton që në sezonin e tij të debutimit në futbollin gjerman. Në fitoren 8-1 ndaj Mainz në ndeshjen e djeshme, Kane tundi tre herë rrjetën e portës kundërshtare, duke treguar një formë të jashtëzakonshme. Ky ishte tregolëshi i tij i katërt në këtë sezon në Bundesligë, duke u bërë i pari futbollist në historinë e saj që e arrinte një shifër të tillë që në edicionin e debutimit. Gjithashtu, ai u bë lojtari i parë i cili shënonte 2 apo më shumë gola në 8 ndeshje të ndryshme në sezonin e parë në Bundesligë, duke thyer rekordin që ndante me Uve Zeler, Fridhelm Konietzka dhe Toni Polster. Kështu, ai arriti shifrën e 30 golave në sezonin e tij të debutimit, shifër e regjistruar më parë vetëm nga Uve Zeler në edicionin e parë të Bundesligës në edicionin 1963-1964.

sfidanti.al