Herën e fundit që ishin përballë ndodhi gjithçka. Granit Xhaka u acarua dhe u përplas me futbollistët e Serbisë, ndërsa Zvicra e tij fitoi 3-2 duelin në Kupën e Botës në Katar. Ato pamje bënë xhiron e botës dhe pati shumë komente, veçse këtë herë kapiteni premton se do të sillet ndryshe. Bëhet fjalë për ndeshjen që Zvicra do të luajë ndaj Bjellorusisë në Beograd këtë të shtunë, në kuadër të eliminatoreve të Europianit 2024. Bjellorusia nuk mund të luajë ndeshje në fushën e saj, dhe ka zgjedhur kryeqytetin e Serbisë.
Shqiptari me origjinë nga Kosova i ka thënë këto fjalë në një dokumentar për kombëtaren e helvete, të realizuar së fundmi. Xhaka u shpreh se i ka vënë detyrë vetes që të jetë pozitiv në terren, dhe nëse ndodh diçka e keqe, të përpiqet që vetëm t’i shmanget. Mesfushori i Arsenalit thekson se është krenar që luan për Zvicrën, ndonëse origjina e tij dhe gjaku i tij janë nga Kosova. Ndërkaq, në Beograd nuk do të jetë shqiptari tjetër zviceran, Xherdan Shaqiri. Futbollisti që luan në Ligën Profesioniste Amerikane me Çikagon ka pësuar dëmtim dhe nuk mund të luajë as ndaj Bjellorusisë, dhe as në ndeshjen tjetër të Europianit, ndaj Izraelit.
Sfidanti.al