22 gola në 5 ndeshje, mesatarisht 4.5 për një sfidë, bollëk në një javë ku të gjithë kanë vendosur vulën në portën e kundërshtarit. Deri këtu nuk është aspak e çuditshme pasi futbolli është loja më popullore pikërisht falë golave dhe emocioneve që dhuron topi në rrjetë, por kur sferën e shtyjnë me telekomandë, atëherë futbolli ka fuqinë të japë efektin e kundërt. Java e 21 në Kategorinë Superiore shpërtheu më në fund pasionin e skuadrave për të imponuar futboll sulmues dhe kjo ndodhi edhe në ndeshjen e fundit të kësaj jave në Durrës ku Dinamo e Kukësi pasuan 3-2-shin e Rrogozhinës mes Egnatias dhe Erzenit duke e kopjuar por në një mënyrë më të sofistikuar. Fillimisht blutë vendas e më pas ata miq me nga dy gola shënuan 4 të tillë por në fund kishte kohë edhe për realizimin e Dinamos që vulosi fitoren por hapi edhe më shumë kapakune pusetës nga ku del aroma e pakëndshme e futbollit që u luajt në Durrës. Nga java në javë sasia e golave rritet por në përpjestim të zhdrejtë, besueshmëria bie dhe ky kampionat që IFFHS e ka rritur me 25 vende, po humbet besueshmërinë. A është njeri në gjendje të na thotë se si mund të rrjetë fati i 5 ndeshjeve të javës së ardhshme bazuar në një logjikë të thjeshtë? Me siguri, jo!
Nga Pirro Bardhyli