Gol vlen edhe me gju, Diego Kosta shpëton Spanjën me Iranin

I duhej dikush që ta nxirrte nga balta. Spanja e gjeti tek Diego Kosta, njeriu që shënon golat dhe siguron fitoret, ashtu si Kristiano Ronaldo tek Portugalia. i mbiquajturi “djalë i keq i futbollit”, sulmuesi 29-vjeçar e gjeti mënyrën sesi të realizonte në portën e Iranit, me gju apo me ndonjë pjesë tjetër të këmbës, dhe të shpëtonte ekipin e tij nga telashet.

U mendua e lehtë, por doli shumë e vështirë që ish-kampionët e botës dhe dy herë kampionët e Europës të kalonin pengesën iraniane në stadiumin e Kazanit. Patën përballë një trajner që i njeh mirë si Karlos Keiroz, por patën edhe faj vetë, përveç meritës së Iranit, që fitorja nuk doli aspak e sigurt.

Loja e iberikëve nuk ishte aspak e shpejtë dhe pasimet horizontale nuk i dhanë befasi ndaj një kundërshtari që u mbrojt dhe luftoi fort për çdo top. Iranianët vendosën të sulmonin vetëm pasi pësuan golin, pasi nuk kishin çfarë të humbisnin më. Për hir të së vërtetës, u treguan shumë të rrezikshëm, dhe Spanja nuk e pati aspak të lehtë t’i përballonte.

Madje u shënua edhe një gol, por që u anulua në mënyrë korrekte nga përdorimi i VAR-it. Ezatolahi ishte në pozicion jashtë loje në momentin e shënimit, edhe pse gjyqtarit iu deshën 2 minuta që të përdorte teknologjinë për ta vërtetuar.

Ashtu si Portugalia, as Spanja nuk bindi, duke forcuar bindjen se asnjë skuadër e madhe nuk ka mbërritur në formën e duhur në Botërorin rus. Pavarësisht fitores, spanjollët nuk janë të kualifikuar, madje edhe mund të eleminohen në rast kombinimi të pafavorshëm të rezultateve në ndeshjet e fundit të grupit B, Spanjë-Marok dhe Portugali-Iran.

Sfidanti.al