Është vetëm java e tretë e Superiores, por gjykimi konsiderohet tashmë faktor për të vendosur fatin e disa ndeshjeve. Partizani u mposht nga Vllaznia me rezultatin 4 me 1 në “Loro Boriçi”. Dy penallti në favor të kuqebluve përmbysën rezultatin, ndërsa lojtarët e Partizanit kishin pretendime të shumta për çfarë ndodhi në fushën e blertë. Klubi është ankuar në Federatën Shqiptare të Futbollit, për të gjitha episodet që ndikuan në fatin e ndeshjes. Sfida u gjykua nga Olsid Ferataj, teksa në VAR ndodhej Enea Jorgji. Ky i fundit i shpallur “non grata” prej kohësh nga kryeqytetasit.
Gjithçka nisi të ndryshojë në minutën e 32-të. Partizani po fitonte 0 me 1, edhe pse Alban Hoxha kishte shpëtuar disa herë të kuqtë nga goli i Vllaznisë. Më pas ishte ndërhyrja e Jorgjit në VAR dhe ndryshimi i vendimit nga Ferataj, që irrituan të kuqtë. Nga ai moment, tensioni mbizotërori dhe takimi humbi hijeshinë si supersfida e javës së tretë. Shtatë kartonë të verdhë u akorduan gjatë ndeshjes për “demat”, ndërsa kuqeblutë e mbyllën me tre futbollistë të ndëshkuar.
MINUTA 32′- Çarls Bismark rrëzohet në zonë pa top, ndërsa pretendon për ndërhyrje nga David Atanaskoski. Olsid Ferataj nuk e shikon rastin në fjalë, ndërsa është i përqëndruar aty ku po vijon aksioni. Ilir Tartaraj si asistent i parë nuk sinjalizon për asgjë të parregullt. Më pas vjen edhe ndërhyrja e Enea Jorgjit në VAR, që vendos të sinjalizojë Olsid Feratajn për rishikim pas 1 minute. Në raste të tilla, ndërhyrja e VAR supozohet të vijë vetëm kur kontakti vijon në zonë dhe mund të akordohet penallti. Në pamjet e ofruara nuk mund të përcaktohet ndërhyrja e fundit e Atanaskoskit ndaj Bismark, edhe pse ky i fundit vendos të hidhet në zonë.
MINUTA 42′- Sfida mes Partizanit dhe Vllaznisë u shoqërua me shtatë kartonë të verdhë për Partizanin dhe tre për Vllazninë. Një episod që mund të ndryshonte rrjedhën e numrit të kartonëve është në minutën e 42-të. Krymi ndërhyn ndaj Garsias në pozicion të favorshëm afër zonës. Ferataj vijon lojën duke mos dhënë goditje dënimi apo karton të verdhë. Në anën tjetër, gjatë aksionit, Garsia ndërhyn në mënyrë të gabuar ndaj Kallakut duke u ndëshkuar me karton të verdhë.
MINUTA 53′- Krymi ndërhyn sërish ndaj Garsia nga mbrapa. Gjithçka konsiderohet e rregullt nga Ferataj dhe VAR. Garsia qëndron për disa momente i shtrirë në fushë, por loja ndalet vetëm pas përfundimit të aksionit. Pavarësisht dy ndërhyrjeve të mëparshme, Krymi e merr kartonin e parë në minutën e 67-të pas faullit ndaj Doumbias.
MINUTA 55′- Bismark fiton penalltinë e dytë në “Loro Boriçi”. Këtë herë konsiderohet një ndërhyrje e parregullt e Alban Hoxhës, i cili vetëm qëndron duke qeshur për gjykimin e rastit. Pas dy minutash rishikim të rastit, VAR ndërhyn duke e kthyer vendimin për shkak të pozicionit jashtë loje më përpara.
MINUTA 78′- Ndërhyrje me parakrah ndaj Doumbias në një pozicion të favorshëm te mesfusha e Vllaznisë. Ferataj lejon vazhdimin e lojës, ndërsa Vllaznia flirton me golin e përmbysjes së rezultatit.
MINUTA 89′- Sërish Bismark që rrëzohet në zonë, këtë herë pretendon tërheqje nga Bytyçi. Ferataj ngurron për disa sekonda, për të akorduar më pas sërish penallti në favor të Vllaznisë. Fillimisht i jep karton të kuq Bytyçit duke menduar se e kishte kartonin e dytë të verdhë. Më pas kupton se Bytyçi kishte vetëm një karton të verdhë dhe heq të kuqin. Nëse Bytyçi ka penguar Bismarkun në aksionin ku do ishte i vetëm përballë Hoxhës, atëherë duhet të ishte karton i kuq. Për këtë moment nuk mund të ndërhyjë VAR, pasi vetëm gjyqtari i fushës mund ta gjykojë intensitetin e ndërhyrjes.
MINUTA 93′- Albion Marku përplaset me Esin Hakaj. Ky i fundit vijon aksionin për të shënuar në fund golin e tretë që i jep fund takimit, ndërsa vetë Marku qëndron i shtrirë në fushë. Për këtë rast nuk ndërhyn VAR. Po ashtu edhe gjyqtari i katërt, Kreshnik Cjapi që e sheh qartë përplasjen mes dy lojtarëve, nuk ndërhyn.
sfidanti.al

