Gjermania U21 fitoi kampionatin europian, duke mundur edhe Spanjën në finale, dhe duke dhënë një tjetër shembull të filozofisë moderne të futbollit. Një formacion me lojtarë shumë të mirë, por jo me superyje, ia doli ndaj një kundërshtari që kishte emra që mund të quhen të frikshëm si Saul Nigez, Marko Asensio apo Gerard Deulofeu.
Vajzer shënoi golin e vetëm të ndeshjes, në pjesën e parë me kokë, dhe gjermanët përballuan presionin iberik për të fituar në Krakov të Polonisë. Spanjollët mbajtën topin gati 60 për qind dhe gjuajtën 12 korne, por ishte Gjermania që rrezikoi më shumë dhe ia doli ndaj favoritëve. Në total, shënuesi më i mirë i gjermanëve, David Zelke, pati në emrin e tij vetëm 2 gola, ndërsa tek Spanja, Saul arriti në 5 dhe Asensio në 3.
“Duhej të luanim shumë mirë, – tha trajneri Shtefan Kunc, – dhe skuadra e ekzekutoi shkëlqyeshëm dhe me kurajo, sepse nuk ishte e lehtë të mundje Spanjën. Djemtë luajtën me mentalitet të lartë kolektiv”. Kunc ka qenë pjesë e Gjermanisë së të rriturve që fitoi kampionatin europian në Angli, duke kaluar Anglinë në gjysmëfinale dhe pastaj Çekinë, ndërsa suksesi i ekipit të tij të kujton formulën e artë gjermane “një për të gjithë, të gjithë për një”.
Thuajse asnjëherë Gjermania nuk ka pasur yje si ata të Brazilit, Argjentinës, Uruguajit, Italisë, Spanjës apo Portugalisë, por ka fituar kaq shumë Europianë dhe Botërorë. Vetëm ndonjë Bekenbauer, Necer, Hansi Myler, Tomas Hesler, Andi Mëler apo Sebastian Dajsler mund të krahasoheshin teknikisht me legjendat latine, veçse loja kolektive nuk e la në baltë skuadrën me flamurin zi-kuq-verdhë.
Ky ishte titulli i dytë kampion i Gjermanisë U21, pas atij të vitit 2009.
Sfidanti.al