Sulmuesi shqiptar, Myrto Uzuni, po vazhdon formën e shkëlqyer në kampionatin amerikan MLS, duke u shndërruar në një nga pikat kryesore të skuadrës së Austin FC në këtë fillim sezoni.
Në ndeshjen në transfertë ndaj Minnesota United, e mbyllur 2-2, Austin arriti të kalonte herët në avantazh falë Uzunit. Sulmuesi shqiptar u tregua i saktë dhe i ftohtë nga pika e bardhë, duke realizuar një penallti në minutën e 14-të të takimit. Ky gol i dha menjëherë qetësi skuadrës teksane në një ndeshje të vështirë jashtë fushe, ku pikët kishin rëndësi të madhe për objektivat në renditje.
Për Uzunin ky ishte goli i pestë në kampionat, duke konfirmuar një nisje sezoni shumë më të mirë krahasuar me vitin e kaluar, kur sapo ishte transferuar në SHBA. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare po tregon vazhdimësi dhe efikasitet në finalizim, duke u kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Austin-it në garën për një vend në fazën play-off. Me këtë ritëm, Uzuni është vetëm një gol larg shifrës që kishte arritur në sezonin e kaluar me fanellën e klubit amerikan, duke konfirmuar progresin e tij në MLS dhe rolin gjithnjë e më vendimtar në sulmin e ekipit.
sfidanti.al

