Në përgjithësi gjermanët njihen si më të ekuilibruar se kaq, apo ndoshta këta të Fortunës nuk janë gjermanë të vërtetë? Ndodh edhe kështu në vendin e madh europian, ku Fridhelm Funkel fillimisht ngrihet në qiell, e pastaj flaket tej pa asnjë mëshirë. Veterani që drejtonte Fortunën e Dyseldorfit në Bundesligë, u propozua nga klubi i tij që të zgjidhej si trajneri i vitit në qytet, pra mes gjithë sporteve të tjerë, por vetëm një ditë pas kësaj, Funkeli u shkarkua.
E larguan të njëjtët njerëz që ia vlerësuan lart 2019-ën, dhe që humbën besimin pas dy humbjeve të para këtë vit. Në vend të tij, në stol afruan ish-lojtarin e njohur Uve Rësler, i cili ishte tek Malmoe në Suedi dhe nuk ka përvojë trajningu në Bundesligë. Funkel, ndërkaq, ka një karrierë të gjatë si trajner duke drejtuar 11 skuadra, e duke fituar 6 ngjitje në Bundesligë. Në total, 61-vjeçari ka drejtuar ekipet në më shumë se 500 ndeshje.
Sfidanti.al