Ftesa e Klopit: Mirëse të vini në “Anfild”, ende nuk ka përfunduar!

Nuk e deshi këtë rezultat, por e dinte se nuk mund ta bënte ai zgjidhjen. Është futbolli që vendos, përpjekja e dy skuadrave, me 11 lojtarë në formacion e 3 zëvendësues, janë edhe arbitrat në fushë dhe dhjetëra mijë tifozë në tribuna. Këtë herë ishte 0-1 për Liverpulin në fushën e Atletikos, pas dramës së parë të vitit në Champions.

“Nuk ishte saktësisht ajo që duhej të ndodhte, por ndodhi, – u shpreh Jurgen Klopi, – ishte beteja që prisnim dhe atmosfera që prisnim, por unë pëlqeva shumë gjëra nga kjo ndeshje. Jemi vetëm 0-1 pas pjesës së parë, dhe të dytën do ta luajmë në stadiumin tonë. Ne nuk ishim mirë në një të tretën e fundit të fushës, kjo edhe sepse Atletiko luftoi me gjithçka që pati mundësi, u mbrojt në zonë në mënyrë të pabesueshme”.

“Ashtu siç po luajte Atletiko, ishte e qartë se edhe rezultati 0-0 do të ishte i mirë për të, – vazhdoi trajneri i Liverpulit, – më vjen keq për Sadio Manenë sepse e provokuan disa herë, dhe gjyqtari nuk e përballoi dot presionin. Gjithsesi, ky nuk është problem për mua dhe nuk dua të bëj njeri fajtor. Kemi humbur 0-1 në pjesën e parë, do të kemi pushimin më të gjatë të mundshëm dhe do të përpiqemi ta shfrytëzojmë. Mirëse të vini në “Anfild”, ende asgjë nuk ka përfunduar”.

Sfidanti.al