FSHF u “lutet” tifozëve por nuk përmend gabimet që ngjallën zemrërimin e UEFA-s

FSHF reagon vetëm pak çaste pas vendimit të marrë nga Komisioni i Disiplinës së UEFA-s duke kërkuar përmbajtjen e tifozëve për të evituar dënime që mund ta dëmtojnë Shqipërinë, por nuk flet asnjë moment për gabimet e bëra në organizim që UEFA ia radhit të gjitha.

Reagimi i FSHF-së:

“Shqipëria e futbollit më shumë se kurrë është pranë arritjes së një objektivi të rëndësishëm siç është kualifikimi në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”. Në këto momente skuadra Kombëtare ka nevojë për mbështetjen e tifozëve dhe kjo mbështetje kërkohet të jetë korrekte për të mos rrezikuar dhe dëmtuar këtë objektiv të rëndësishëm që kemi përpara.

Federata Shqiptare e Futbollit është njohur pak minuta më parë me vendimin e Komisionit të Etikës dhe Disiplinës në UEFA që ka vendosur të gjobisë FSHF-në me 44 mijë euro për hedhjen e fishekzjarreve në fushën e lojës, hedhjen e sendeve të forta, bllokimin e rrugëve të kalimit në sektorë të caktuar të stadiumit dhe mbylljen e pjesshme të stadiumit në tribunat veriore dhe jugore.

Mbyllja e këtyre tribunave është me kushtin që në ndeshjet e zhvilluara në shtëpi të mos ketë asnjë ndezje fishekzjarri në stadium. Vendimi për mbylljen e stadiumit është pezulluar për një periudhë prove, duke filluar nga ndeshja e radhës në shtëpi me Republikën Çeke.

Mbyllja e stadiumit do të ishte e dëmshme për ekipin tonë Kombëtar në këto momente ku objektivi i synuar kërkon të ketë pranë dhe lojtarin e 12-të.

Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron t’u bëjë thirrje të gjithë tifozëve që mbështesin pa kushte Kombëtaren të jenë korrekt me sjelljen e tyre në stadium, të mos përdorin mjete piroteknike të cilat do të dënojnë skuadrën dhe tifozët në ndeshjet e ardhshme që janë vendimtare për fatin tonë drejt “Gjermani 2024”.

sfidanti.al