Në një kohë që Erzeni i luan ndeshjet si pritës në Rrogozhinë, Dinamo nuk ka një shtëpi ndërsa Tirana endet sa në “Selman Stermasi”, Elbasan dhe “Arenën Kombëtare”, FSHF e hedh shikimin më gjerë. Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do të shqyrtojë në mbledhjen e radhës së 26 shtatorit kandidaturat për organizimin e Kampionatit Europian U-17 për vitet 2025, 2026 dhe 2027 dhe Kampionatit Europian U-19 për vitet 2026 dhe 2027.
Në garë për të fituar të drejtën e organizimit është edhe Shqipëria me 4 stadiume që sipas FSHF-së, i plotësojnë standartet. Në aplikimin e dorëzuar nga Federata Shqiptare e Futbollit është parashikuar që ndeshjet të zhvillohen në “Air Albania Stadium”, “Elbasan Arena”, “Loro Boriçi” dhe “Arena Egnatia”. Këto stadiume do të presin ndeshjet e fazës së grupeve, ato gjysmëfinale dhe finalen e madhe. Gjithashtu për zhvillimin e një kompeticioni të tillë kërkohen 8 qendra stërvitore me fusha me bar natyral, të cilat do të jenë në aksin Tiranë-Durrës, kjo edhe për shkak të numrit të hoteleve me kushte specifike që kërkohen.
Shqipëria është kualifikuar nga Komisioni i Tenderimit si një vend që i ka të gjitha aftësitë, kapacitetet dhe plotëson kriteret për organizimin e një Kampionati Europian për moshat e reja. Ky është padiskutim suksesi parë, duke parë kriteret e larta që aplikohen në organizimin e kompeticioneve të tilla madhore me vëmendje dhe interes të madh ndërkombëtar.
Në të njëjtën kohë me marrjen e të drejtës së organizimit të një kompeticioni kaq madhor lind dhe detyrimi për të kryer disa investime të rëndësishme shtesë në infrastrukturën e stadiumeve dhe veçanërisht fushave stërvitore ku së bashku me pushtetin qendror dhe atë lokal do të duhet të investohet në Tiranë, Durrës, Kamëz, Elbasan, Shijak, Rrogozhinë e Kavajë.
Sfidanti.al