Franca nuk di të fitojë, në Ligën e Kombeve “mbretëron” Danimarka

Po ndodh si në vitin 1992, ndonëse këtë herë nuk pati asnjë përjashtim. Danimarka ka nisur të shkëlqejë fort në arenën europiane dhe fitorja e dytë radhazi i dha kreun e grupit në nivelin A të Ligës së Kombeve, duke lënë prapa në distancë Francën, kampione në fuqi. “Gjelat” e Didie Deshampit morën vetëm një barazim 1-1 në Split ndaj Kroacisë, edhe pse rezultati nuk mund të quhet shumë i keq. Francezët ishin pa Kilian Mbapenë, Rafael Varanin dhe Karim Benzemanë, ndërsa Deshampi bëri 10 ndryshime në krahasim me ekipin që u mund 1-2 nga Danimarka në Paris. Një ndryshim ishte edhe ai vetë, pasi u kthye në stol pak ditë pas vdekjes së babait. “Ne patëm raste të mira dhe mund të kishim fituar, – tha ai, – në pjesën e dytë, Kroacia nuk arriti të na kërcënonte asnjëherë. Ishim në avantazh, por e falëm golin. Gjithsesi, ishte një ndeshje koherente dhe synimi ynë është që të jemi gati për Kupën e Botës”. Franca është kampione e botës dhe e Ligës së Kombeve, por nuk po arrin të  shkëlqejë. Danimarka kryeson me 6 pikë pas fitores në Austri, ndërsa “gjelat” kanë vetëm 1 pikë.

Sfidanti.al