Florent Hasani mbërrin në Rumani: Me Rapidin fitoj titullin

Në vigjilje të Tirana-Vllaznia, Florent Hasani ka thënë fjalët e para pas transferimit në Rumani. Ish-lojtari bardheblu ka thënë fjalët e para pas transferimit në Bukuresht, ku iu bashkua ekipit të Rapidit.

“Përshëndetje për të gjithë tifozët e Rapidit, faleminderit për mikpritjen. Që kur nisa bisedimet me këtë klub, unë doja ta mbyllja sa më shprejt në Shqipëri dhe të bëhesha futbollist i Rapidit”, tha sulmuesi kosovar, i cili ka folur për faqen zyrtare të Rapidit, duke theksuar se dëshironte sa më shpejt të mbyllte marrëveshjen me klubin në fjalë. “Mezi po pres të vij në Bukuresht, të luaj përpara tifozëve të rinj dhe të realizojmë objektivat e klubit. Di diçka për kampionatin rumun dhe Rapidin. Disa miq më kanë folur gjëra të mira për Rapidin”, vazhdoi Hasani, i cili tregoi se një rol të rëndësishëm në këtë tratativë kishte edhe Albion Rrahmani.

Mes të tjerash Hasani tregon tregon se është ambicioz dhe se shpreson të fitojë titullin me klubin e ri. “Kur je futbollist profesionist, duhet të fokusohesh fillimisht te objektivat e ekipit, të luftosh për to, të japësh gjithçka dhe më pas të mendosh për qëllimet e tua personale. Mendoj se gjëja më e rëndësishme për ne është të jemi në krye të tabelës. Tifozët të vazhdojnë kështu, së bashku të bëjmë një punë të shkëlqyer. Respekt dhe dashuri për tifozët”, përfundoi Hasani.

sfidanti.al