Fitore pa shije për Tiranën

Suksesi në ekstrem me Kukësin ku rrezikoi madje të humbiste edhe pse me një lojtar më shumë në fushën e lojës, është një këmbanë alarmi për Tiranën. Presidenti Refik Halili që brenda pak javësh ndryshoi pjesën më të rëndësishme të kupolës drejtuese, pret më shumë nga skuadra ndërkohë që klubi i tij për shkak të borxheve ndaj ish-bashkëpunësorëve, nuk mund të bëjë merkato për tre sesione. Gjithsesi, pavarësisht situatës në klub, Refik Halili ka një mesazh të qartë për skuadrën.

“Prisja që skuadra të bënte diçka më mirë se sa bëri. Për ne sot më e rëndësishme ishte fitorja, tri pikët. Kisha besim se skuadra do e merte fitoren sot, por mënyra se si luajtëm na vuri në vështirësi shumë të madhe”, ka deklaruar presidenti i bardhebluve. Shpresoj që skuadra nga dita në ditë të bëjë ndryshimin dhe duhet ta bëjë, sepse janë një kontigjent shumë i mirë lojtarësh me emra. Secili e di vetë se çfarë emri ka dhe për emrin që ka duhet të japë më shumë se sa i takon, sepse mendoj që janë futbollistët më të vlerësuar nga ana financiare në kampionatin shqiptar. Kjo është e padiskutueshëm sepse ne e dimë shumë mirë se çfarë financash paguhen. Unë ua kam thënë dhe ua them përsëri: futbollistët janë të mbivlerësuar. Përsa i përket lojës për të na kënaqur neve, për të marrë rezultate pozitive, janë shumë larg asaj që prisnim në fillim të kampionatit dhe vazhdojmë të presim”.

sfidanti.al