FIFA amerikanizon Kupën e Botës

FIFA ka konfirmuar se çdo ndeshje e Kupës së Botës 2026 do të përfshijë një pushim 3-minutësh në mes të çdo pjese, duke e ndarë praktikisht lojën në katër çerekë. Ky vendim u zyrtarizua të dielën dhe do të zbatohet në të gjitha sfidat e turneut.

Masat u finalizuan pas takimeve mes trajnerëve, transmetuesve dhe stafit mjekësor të FIFA-s, të zhvilluara paralelisht me shortin e Botërorit të premten. Të gjitha palët kanë dhënë mbështetjen e tyre për propozimin.

Sipas FIFA-s, ky pushim është menduar kryesisht për sigurinë e lojtarëve, duke reduktuar rreziqet e lodhjes dhe temperaturave të larta, të cilat pritet të jenë faktorë të rëndësishëm gjatë verës së vitit 2026.

Megjithatë, ndryshimi sjell edhe pasoja të dukshme taktike: gjatë ndalesës, trajnerët do të mund të komunikojnë me lojtarët, të rregullojnë skemat dhe të bëjnë korrigjime që potencialisht mund të ndryshojnë rrjedhën e lojës.

Ky nuk është i vetmi inovacion për Botërorin e ardhshëm. FIFA ka bërë të ditur gjithashtu se do të prezantohen intervista gjatë pushimit të pjesës së parë me lojtarët dhe trajnerët, një risi që synon të sjellë më shumë transparencë dhe lidhje të drejtpërdrejtë me publikun.

Botërori 2026 pritet të sjellë kështu jo vetëm më shumë ekipe dhe më shumë ndeshje, por edhe ndryshime që mund ta transformojnë mënyrën se si përjetohet një 90-minutësh futboll.

sfidanti.al