Elbasani mposht Vllazninë, Dinamo shkatërron Flamurtarin

Elbasani arriti një fitore të rëndësishme në “Elbasan Arena”, duke mposhtur Vllazninë 1-0 dhe duke u ngjitur në krye të klasifikimit me 29 pikë, një më shumë se Egnatia.

Përballja ishte e fortë dhe me raste të shumta para portës, por vendimtar ishte goli i vetëm i pjesës së dytë, pa harrruar faktin që Gjini i Vllaznisë u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 27-të, duke e lënë skuadrën e tij në inferioritet numerik.

Në minutën e 48-të, Loukili shërbeu saktë për Tsague, i cili me një rrotullim të shpejtë mposhti portierin Pohls, duke vendosur rezultatin përfundimtar.

Para golit, të dyja ekipet krijuan raste të pastra. Vllaznia kishte dy mundësi të mëdha, por Kallaku në minutën e 10-të përplasi topin në traversë, ndërsa më vonë gjuajtjet e Krymit dhe Tsague u ndalën nga mbrojtja dhe portieri i Elbasanit. Nga ana tjetër, vendasit provuan me Lulajn dhe Qosen, të cilët krijuan dy situata të rrezikshme, por pa gjetur rrjetën. Një tjetër moment i rëndësishëm ishte tentativa e Balajt për një roveshatë pas një harkimi nga krahu i djathtë në minutën e 74-t, e cila u bllokua nga mbrojtësit.

Me këtë fitore, Elbasani konfirmon formën e mirë këtë sezon dhe merr një avantazh të rëndësishëm në garën për titull.

Dinamo arriti një fitore të thellë në transfertë ndaj Flamurtarit, duke triumfuar 3-0 dhe konfirmuar formën e mirë nën drejtimin e Ilir Dajës.

Goli i parë erdhi në minutën e 29-të, kur Lorenco Vila shfrytëzoi një rast të krijuar nga ekipi dhe dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë avantazhin Dinamos që në pjesën e parë. Flamurtari u mundua të reagonte, por tentativat nga Marku dhe Nunes nuk ishin të sakta, ndërsa Maksuti kërkoi penallti në minutën e 3-të, por gjyqtari Lata la lojën të vazhdojë.

Në pjesën e dytë, Dinamo arriti të thellonte avantazhin me golin e dytë në minutën e 77-të. Qefalija shfrytëzoi një pasim nga Bregu dhe mposhti portierin Aleksovski, pavarësisht pretendimeve të Flamurtarit për vendimin e anësorit.

Për ta mbyllur ndeshjen me një rezultat të thellë, James shënoi golin e tretë në minutën e 86-të, duke vulosur triumfin e Dinamos, që me këtë trepikësh shkon në vendin e tretë me 26 pikë, ndërsa Flamurtari rrëshqet në vendin e parafundit, me vetëm 13 pikë.

sfidanti.al