Ka gjithmonë një herë të parë. Shqipëria ka arritur të triumfojë me rezultatin 1-0 në “Mikheil Meskhi Stadium” përballë Gjeorgjisë me golin e shënuar nga Kristjan Asllani në minutën e 48-të. Kjo është fitorja e parë në historinë e kuqezinjve në transfertën gjeorgjiane. Një ndeshje që nisi me ritëm, me raste shënimi për të dyja skuadrat. Laçi dha shkëndijën e parë që në nisje, ndërsa vendasit ishin më pranë golit pas pesë minutash lojë me Zivzivadze. Ismajli e Tuci nga njëra anë dhe Davitashvili e Kvaratskhelia nga ana tjetër, vendosën emrin në listën e rasteve të humbura për një pjesë të parë që u mbyll në barazim 0-0. Fillimi i pjesës së dytë solli dhe momentin vendimtarë të kësaj sfide, që dhuroi dhe tri pikët për kuqezinjtë. Një asistim i Bajramit i dha mundësinë Asllanit që të godasë saktësisht në portën e mbrojtur nga Mamardashvili. Pavarësisht presionit të gjeorgjianëve, Bajrami, Daku apo dhe Seferi kishin mundësi për të dyfishuar shifrat. Megjithatë, mbyllet 1-0 për kuqezinjtë, që rrëmbejnë tri pikë të arta përballë një kundërshtari që kishte triumfuar në “Air Albania”.
sfidanti.al