Është historia e zakonshme e talenteve nga Amerika Latine që kalojnë shumë pak kohë lulëzimi në kontinentin e tyre të lindjes, dhe gjithë karrierën e vazhdojnë nja 10-12 000 km larg, në kontinentin “e vjetër”. Njëri prej tyre është Fernandinjo, kapiteni i Mançester Sitit që hoqi dorë nga shiriti dhe nga vazhdimi i karrierës për Pep Guardiolën dhe do të luajë këtë sezon për ish-ekipin e tij, Atletikon e Paranaenses në Brazil. Mesfushori është 37 vjeç dhe natyrisht është ngopur me Europën ku fitoi 11 kampionate. Për Sitin luajti 383 ndeshje në 9 vjet duke fituar 5 tituj kampion, 1 Kupë të Anglisë dhe 6 Kupa të Ligës. Me Shahtarin e Donjeckut në Ukrainë luajti për 8 sezone duke fituar 6 tituj dhe Kupën UEFA. Tek Atletiko do të gjejë ish-trajnerin e Çelsit dhe të Brazilit, Luiz Felipe Skolari.
Sfidanti.al