Fergusoni flet me Ronaldon: Ka gjëra më të mëdha sesa futbolli!

Dy legjendat e futbollit u ftuan në një bisedë mes tyre nga Mançester Junajtid, dhe mediat e qytetit e transkriptuan bisedën, edhe pse version filmik nuk u botua menjëherë. Sër Aleks Fergusoni dhe Kristiano Ronaldo folën me njëri-tjetrin për kohën që kur portugezi erdhi për herë të parë në “Old Traford” në moshën 18-vjeçare, dhe për raportin mes tyre. Ronaldo vlerësoi skocezin e madh, por edhe lojtarët e asaj kohe që e mbajtën afër dhe ai u përshtat shpejt. Fergi foli për fillimet e CR7-ës derisa ai u bë një yll i madh, dhe që të dy theksuan se rëndësi të madhe pati komunikimi mes tyre. “Çfarë do gjëje që ai ma thë, ai e bëri”, – theksoi Kristiano. Fergusoni e vazhdoi këtë temë, duke kujtuar momente kur lojtarët kishin probleme familjare. “Kur isha 33 vjeç, isha trajner i ri dhe një lojtar erdhi e më kërkoi të premten pushim, – tha Sër Aleksi, – më tha se i kishte vdekur nëna. Padyshim që i dhashë leje, dhe kështu bëra vazhdimisht. Edhe Ronaldo pati problem sepse kishte babanë sëmurë, dhe unë nuk e ndalova. Unë nuk e vura futbollin mbi familjen. Ka gjëra që janë më të mëdha se një klub futbolli”.

Sfidanti.al