Europa, Dinamo e nis nga zero

Dinamo do ta nisë nga zeroja Europën. Pas 14 vitesh, skuadra fituese e Kupës së Shqipërisë, do të jetë e gjashta nga fundi në vazon e dobët të Ligës së Konferencës. Blutë kanë koeficient 1.575 dhe nuk shkojnë dot më lart, çka do të thotë se kundërshtarë do të kenë ekipe të forta, duke përfshirë edhe ato kosovare. Për të kaluar turin, Dinamo duhet të bëjë një heroizëm. Hera e fundit që kryeqytetasit luanin në kompeticionet e Kontinentit të Vjetër ishte sezoni 2010- 2011, kur eliminoheshin nga moldavët e Sherif Tiraspol në raundin e parë të Champions League. Më pas, bluve iu desh të mbijetonin në kategoritë e ulëta të futbollit shqiptar për vite të tëra, derisa presidenti Bardhi vendosi të investonte në klub dhe në harkun e pak viteve e ktheu në situatën e sotme, duke fituar trofe, duke pretenduar titullin dhe nxjerrë lojtarë si Mandela apo Zabërgja, që pritet të shiten për shifra rekord.

Ashtu si shumica e klubeve shqiptare, edhe Dinamo nuk ka ndonjë bilanc mbresëlënës në kompeticionet europiane, teksa në total, sipas arkivave, ka arritur të ekzekutojë vetëm dy kualifikime. Një në 2002-shin, kundër Kaunas në Champions, dhe një tjetër më 1989, në Kupën e Kupave kundër Çernomorets. Siç shihet në tabelë, në të gjitha rastet e tjera blutë kanë dështuar të kalojnë raundin e parë. Me krijimin e Ligës së Konferencës, për klubet shqiptare është bërë më e mundur të kalojnë ture dhe Dinamo do të provojë padyshim të shkruajë histori të re. Klubi blu do të mbajë të gjithë lojtarët aktualë dhe do të sjellë edhe disa përforcime për të synuar të përparojë sa më shumë dhe për të sjellë sa më tepër përfitime financiare në arkat e klubit. Fakti është se Ilir Daja ia di sekretet këtij kompeticioni (Ligës së Konferencës), sepse ka shkuar dy herë në grupe me Ballkanin e Suharekës, duke shkruar historinë e futbollit kosovar dhe mbarëshqiptar. Më parë, tiranasi ka arritur të kualifikohet në grupet e Ligës së Europës me Skënderbeun.

sfidanti.al