Rei Manaj është një nga figurat më të spikatura të Sivasporit në dy sezonet e fundit, por mesa duket ky do të jetë kampionati i fundit që sulmuesi i Kombëtares luan me këtë fanellë. Pavarësisht një sezoni deri diku të suksesshëm në aspektin personal, situata e skuadrës është shumë e vështirë. Ekipi i tij ndodhet në zonën e ftohtë të renditjes dhe po kalon një formë jo të qëndrueshme, çka ka shtuar spekulimet për një largim të mundshëm të Manajt.
Në janar, sulmuesi ishte një nga emrat më të përfolur në merkato, me Trabzonspor që tregoi interes të qartë për shërbimet e tij. Thuhet se sulmuesi ka qenë i gatshëm të heqë dorë nga disa prej të drejtave financiare për të lehtësuar transferimin. Megjithatë, negociatat mbetën në ngërç për shkak të kërkesës së lartë të Sivasporit. Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Manaj mbetet një nga asetet më të vlefshme të klubit turk.
Teksa jemi në fundin e kampionatit, burime të gazetës bëjnë me dije se Rei Manaj pritet që të largohet në merkaton e verës. Dëshira e sulmuesit, pavarësisht se është i lidhur me tifozët e Sivasporit, është që ta shohë veten në një ekip të madh. Nuk përjashtohet një rikthim në Spanjë apo Itali, edhe pse një pistë shumë serioze është edhe kalimi në një skuadër “big” brenda Turqisë. Manaj është bashkuar me Sivasporin në verën e vitit 2023 dhe po luan sezonin e dytë në Turqi.
Ai ka zbritur në fushë për 63 ndeshje, duke shënuar 34 gola dhe dhuruar 8 asiste. Padyshim që pretendimet e Sivasporit do të jenë disi të larta, po gjithsesi diçka e tillë varet edhe si do të shkojë fati i skuadrës, do të qëndrojë apo jo në elitë. Tifozët shqiptarë do të ndjekin me interes zhvillimet e ardhshme, ndërsa pritet të shihet nëse sulmuesi do të vazhdojë aventurën në Turqi apo do të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij.
sfidanti.al