Euro U21 “vret” gjigandët si Italia e Gjermania!

Të papriturat duhej të ndodhnin që në fillim. Dy gjigandë të futbollit të kontinentit u eliminuan nga Kampionati Europian U21, madje kjo ndodhi në grup. Gjermania dhe Italia u detyruan t’i thonë “lamtumirë” para kohe turneut që po zhvillohet në Gjeorgji e Rumani, në një tronditje të vërtetë. Skuadra gjermane, që vinte në Europian si kampione në fuqi, u mund 2-0 nga Anglia dhe pësoi një zhgënjim të jashtëzakonshëm. Kameron Arçer dhe Harvej Eliot shënuan që në fillim për “tre luanët”, në një ndeshje të fortë, por që u vendos në minutat e para. Gjermania largohet pasi kishte arritur tri herë radhazi finalet në kampionatet europiane, duke fituar dy tituj, por këtë herë doli e fundit në grup me vetëm 1 pikë. Kualifikimin e arritën Anglia dhe Izraeli.

I rëndë edhe dështimi i Italisë. Të Kaltrit u mundën minimalisht 1-0 nga Norvegjia në ndeshjen e grupit D, të luajtur në Rumani. Italianët bënë më shumë presion dhe e mbajtën më shumë topin, por ishin të paaftë të çanin mbrojtjen e fortë kundërshtare, duke e goditur vetëm një herë portën. Të dyja skuadrat u eliminuan, pasi as Norvegjia nuk kishte shpresa për të kaluar grupin. Italia është skuadra më e suksesshme e kampionateve europiane të 21-vjeçarëve, duke fituar 5 tituj kampion, po aq sa Spanja. Gjithsesi, titulli i fundit është fituar në 2004, dhe që nga ajo kohë finalja është arritur vetëm një herë.

Sfidanti.al