Eleminim heroik i Brazilit, Belgjika vazhdon përrallën ndaj Francës

Kupa e Botës e humbi favoritin. Brazili i madh u eleminua nga Belgjika që fitoi “duelin e titanëve” në çerekfinalen e mrekullueshme në Kazan. Në të njëjtin stadium ku u eleminuan shumë skuadra të shquara, nuk ia doli as ajo braziliane, ndonëse doli me kokën lart nga ky Botëror.

Nuk mund të kishte eleminim më të mirë për pesë herë kampionët e rruzullit sesa ky, duke dominuar ndaj një Belgjike të shkëlqyer e të mbushur me yje. Rezultati përfundimtar ishte 2-1 për europianët, veçse loja në fushë ishte tjetër.  Edhe pse Belgjika e meritoi pasi nuk vodhi asgjë, sërish Brazili fare mirë mund të kishte dalë triumfues nga sfida, duke sulmuar gjatë gjithë kohës, detyruar edhe nga rezultati.

Të besuarit e trajnerit Tite ishin në ofensivë nga fillimi deri në fund, duke gjuajtur pa fund drejt portës, duke zotëruar mesfushën, e duke krijuar rast pas rasti. Nëse realizuan vetëm një gol, kjo erdhi thjesht për mungesën e fatit dhe të qetësisë në momentet e fundit, por edhe për meritën e jashtëzakonshme të portierit Tibo Kurtua.

Numri 1, së bashku me numrin 10, Eden Hazar, me gjasë sezonin tjetër shokë skuadre tek Reali, ishin vendimtarë për Belgjikën. Skuadra simpatike e vendit të vogël tani do të kërkojë finalen, në një derbi të madh ndaj Francës. Një tjetër ndeshje e shkëlqyer u luajt në Botëror, dhe e sigurt është që e tillë do të jetë edhe gjysmëfinalja.

Sfidanti.al