Egnatia është eliminuar përmes dramës në Europë. Çelje ia doli vetëm nga penalltitë ku u tregua e saktë në të gjitha goditjet, ndërsa rrogozhinasit gabuan me Bitrin dhe Ndrecën. Fillimisht ishte Egnatia që kaloi e para në avantazh. Ishte autogoli i Hrka në minutën e 21-të që solli festë tek ekipi i Nevil Dedes. Më pas Kvesiç riktheu baraspeshën me një gol nga goditja e dënimit. Dajsinani u kap i papërgatitur në pjesën e parë.
Pjesa e dytë i pa skuadrat shumë të kujdesshme. Në “extra time” ishte Bitri që shkaktoi penallti, ndërsa e mori përsipër Kvesiç për t’i dhënë avantazhin kampionëve të Sllovenisë. Egnatia nuk u dorëzua. Ishte Smajli që riktheu baraspeshën në minutën e 114-të.Penalltitë u kthyen sërish në makth për Egnatian, që më parë ka provuar të eliminohet nga Ararat Armenia dhe Borac Banja Luka. Bitri dhe Ndreca e dërguan topin jashtë. Tashmë fokusi kalon në turin e tretë të Ligës së Europës. Aty për Egnatian do të jetë përballë Shamrok Rovers, pikërisht ekipi kampion i Irlandës.

